Dr. Omer Xhemali

“Në Tearcë e ndiej veten si Omer, e jo si doktor”

Intervistë me Dr. Omer Xhemalin, kardiokirurgun nga Tearca

Tearca.ch: I nderuari Doc. Dr. Omer Xhemali, në emër të Shoqatës Humanitare “Tearca” në Zvicër fillimisht e shfrytëzojmë rastin t’Ju falënderojmë për kohën që ndatë për të zhvilluar një intervistë ekskluzive për ueb faqen e Shoqatës sonë. Meqë jeni edhe bashkëfshatar yni, me të cilin mburremi të gjithë ne, sa për fillim a mund të na jepni disa të dhëna personale rreth jetës Suaj, ngase të rinjtë e të rejat e fshatit ndoshta nuk ju njohin?

Dr. Omer Xhemali: Ju falënderoj përzemërsisht për ftesën që më bëri Shoqata juaj. E ndiej veten shumë krenar kur e shoh se bashkatdhetarët e posaçërisht bashkëfshatarët e mi kanë një organizim kaq të strukturuar në diasporë. Si që përmendët në pyetjen tuaj, unë jam i lindur në fshatin tonë Tearcë më 04.07.1970. Rrjedh nga familja Xhemaliu (e njohur si Farizat), jam fëmija i vetëm i Servet dhe Remzije Xhemalit, që të dy tani më arsimtarë të pensionuar, që ende jetojnë në fshatin tonë.

 

Tearca.ch: Cilat janë shkallët e arsimimit Tuaj deri më sot?

Dr. Omer Xhemali: Unë arsimin e kam filluar në fshatin Gllogjë, ku edhe mbarova tetëvjeçaren. Shkollën e mesme e kreva në Tetovë (një vit në gjimnazin e Tetovës dhe tri vite në shkollën e mesme të medicinës). Pas mbarimit të shërbimit ushtarak (12 muaj) i vazhdova studimet e mjekësisë në Sarajevë. Këto isha i detyruar t’i ndërpres për shkak të luftës së Bosnjës. Në verë të vitit 1992 kalova në Gjermani, ku pas përvetësimit të gjuhës gjermane, në vitin 1993 fillova studimet e mjekësisë pranë Universitetit të Mainzit, të cilat duhej t’i filloja përsëri nga fillimi.

 

Tearca.ch: Pas përfundimit të studimeve dhe të specializimit në lëmin e kardiokirurgjisë, cila është përvoja Juaj praktike, angazhimi juaj profesional dhe në cilat vende e keni ushtruar atë?

Dr. Omeri Xhemali: Studimet e mjekësisë i kreva në vitin 1999, pastaj për një vit kam punuar në klinikën universitare të Mainzit, ku edhe mbarova punimet e doktoraturës, temën e së cilës e kam mbrojtur në vitin 2000. Që nga viti 2000 e deri në fund të vitit 2009 kam punuar në klinikën universitare të Frankfurtit, ku në vitin 2006 specializova në lëmin e kardiokirurgjisë dhe të kirurgjisë torakale. Në kuadër të punimeve shkencore dhe akademike, pranë universitetit të Frankfurtit në vitin 2009 kam mbrojtur temen e Habilitimit (ose punimet për PhD) dhe jam emërtuar si docent i përjetshëm në lëndën e kirurgjisë së zemrës dhe asaj torakale pranë këtij universiteti. Kështu që tani për çdo muaj gjatë semestrit mbaj ligjërata në këtë lëmi dhe në fund të semestrit i pranoj studentët për provim.

 

Tearca.ch: Përveç punës Suaj profesionale, Ju merreni edhe me veprimtari akademike në lëmin e kardiokirurgjisë. Merrni pjesë në konferenca e simpoziume në vende të ndryshme nëpër botë me ligjëratat e kumtesat Tuaja shkencore. Cilat prej tyre Ju do t’i kishit përmendur në veçanti?

Dr. Omer Xhemali: Pasi që specializimin e kreva në një institut universitar, unë gjatë kohës së specializimit dhe pas saj jam marrë edhe me punime shkencore në këtë lëmi. Rezultatet shkencore të këtyre punimeve tanimë janë botuar në 50 artikuj shkencorë në gazeta me renome botërore. Gjithashtu gjatë kësaj kohe kam marrë pjesë në konferenca apo kongrese dhe simpoziume të ndryshme si në Evropë ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Azi. Ndër kongreset më interesante vlejnë të përmenden: Kongresi i Shoqatës Amerikane për Kardiokirurgji në Nju Jork në vitin 2009, ku prezantova rezultatet e punimeve të mia shkencore në lidhje me insuficiencën e zemrës dhe trajtimin e saj kirurgjik. Në kongresin e Shoqatës Botërore për Kardiokirurgji në vitin 2003 në Hong Kong kam prezantuar rezultatet e punimeve shkencore mbi trajtimin kirurgjik të çrregullimit të ritmit të zemrës.

 

Tearca.ch: Me sa kemi mundur të kuptojmë, Ju për angazhimin Tuaj profesional dhe akademik keni fituar disa çmime. A mund të na tregoni se për çfarë çmimesh bëhet fjalë?

Dr. Omer Xhemali: Çmimi më me renome që më është ndarë është i ashtuquajturi Çmimi “Hans Borst” i Shoqatave Gjermane, Austriake dhe Zvicerane për Kardiokirurgji. Ky çmim është ndarë për punimin shkencor më të mirë të vitit 2007, që është përzgjedhur prej 770 punimeve të paraqitura.

 

Tearca.ch: A jeni anëtar në ndonjë shoqatë të fushës Suaj dhe cili është kontributi Juaj në këtë drejtim?

Dr. Omer Xhemaili: Unë jam anëtar aktiv në këto shoqata:

  1. Shoqata Gjermane për Kardiokirurgji – DGTHG
  2. Shoqata Zvicerane për Kardiokirurgji – SGTHG
  3. Shoqata Evropiane për Kardiokirurgji - EACTS Office
  4. Shoqata Internacionale - CTSnet

Pranë Shoqatës gjermane jam edhe udhëheqës i grupit për zhvillimin e kirurgjisë minimalinvazive.

 

Tearca.ch: Pas një qëndrimi relativisht të gjatë në Gjermani, për studime dhe punësim, para disa muajsh, konkretisht në dhjetor të vitit 2009, Ju jeni vendosur në Cyrih të Zvicrës, ku jeni angazhuar në një spital të kësaj metropole. A mund të na thoni cila ishte arsyeja e kalimit Tuaj nga Frankfurti për në Cyrih si dhe cila është përgjegjësia e pozita Juaj në këtë spital?

Dr. Omer Xhemali: Pasi në Frankfurt vitet e fundit punova si kryemjek (“Oberarzt”), erdhi koha që të bëja ndryshime në jetën profesionale, gjë që në botën e sotme është e përditshme por edhe shumë e rëndësishme për zhvillimin e mëtutjeshëm të karierës profesionale.

Vendimi për Cyrihun ishte shkaku i pozicionit që më ofroi spitali Triemli. Unë këtu jam si operator i pavarur dhe udhëheqes i repartit të kardiokirurgjisë (“Leitender Arzt”) dhe si zëvendës i vetëm i shefit të departamentit të kirurgjisë, njëkohësisht jam i vetmi specialist për kirurgjinë torakale dhe udhëheq njëkohësisht edhe repartin për kirurgji torakale.

 

Tearca.ch: A keni pasur oferta edhe nga spitale të tjera botërore dhe çfarë ka qenë përgjigjja Juaj në këtë drejtim?

Dr. Omer Xhemali: Kam pasur disa oferta në Gjermani (si p.sh. në spitalin universitar të Hamburgut) por edhe dy oferta nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (New York University dhe Boston Medical Center) si dhe një ofertë nga Shkupi (Klinika private Filip II). Por duke pasur parasysh rrethanat familjare dhe postin e ofruar, vendimi im ka qenë pikërisht Cyrihu.

 

Tearca.ch: A mund të na thoni cilat janë dallimet më të dukshme sa u takon kushteve, kuadrit e pacientëve të spitalit si dhe të mentalitetit e të kulturës së zviceranëve në Cyrih krahasuar me të njëjtat e gjermanëve në Frankfurt am Main?

Dr. Omer Xhemali: Sa i përket kualitetit profesional për trajtimin e pacientëve, ai nuk dallon shumë nga ai gjerman. E sa i përket mentalitetit dhe kulturës zvicerane, unë mendoj se është ende shumë herët që të jap ndonjë lloj mendimi në këtë drejtim.

 

Tearca.ch: Pas kalimit Tuaj në Cyrih, a Ju mbetet kohë për kërkime të mëtejme, pjesëmarrje nëpër konferenca e takime të tjera të lëmit Tuaj, sikur më parë derisa ishit në Gjermani?

Dr. Omer Xhemali: Po sigurisht. Si që thash më lart, unë ende vazhdoj detyrën si docent pranë universitetit të Frankfurtit. Gjithashtu vazhdoj edhe këtu me punimet shkencore, tanimë kemi startuar me tri projekte të reja me bashkëpunim dhe renome ndërkombëtare. Në lidhje me konferencat, gjithashtu vazhdoj të marr pjesë në seanca të ndryshme si p.sh. në shkurt të këtij viti isha në Romë, në mars mora pjesë në një konferencë në Sao Paolo në Brazil, ndërsa më 10 qershor Shoqata e Kardiologëve Zviceranë më kanë ftuar si mysafir me një prezantim në kongresin e tyre që do të mbahet në St. Gallen.

 

Tearca.ch: Cila është pozita e kardiokirurgjisë në botën shqiptare dhe a mund t’Ju cilësojmë Juve si kardiokirurgu i parë shqiptar?

Dr. Omer Xhemali: Unë nuk jam kardiokirurgu i parë shqiptar. Në Tiranë, kardiokirurgjia ka filluar me punë qysh në fund të viteve 1970-ta. Ndoshta jam i pari shqiptar që bëri transplantimin e zemrës, por ky fakt nuk është relevant. Sa u përket kuadrove profesionale, ne për momentin jemi 5 apo 6 kardiokirurgë që unë i njoh në diasporë, por për fat të keq, gjendja e kardiokirurgjisë në vendlindje është ende në një situatë shumë të papëlqyeshme.

 

Tearca.ch: Cili është raporti Juaj me kardiokirurgët tjerë shqiptarë dhe me ata të kombësive të tjera nga Ballkani?

Dr. Omer Xhemali: Unë bashkëpunoj me disa kolegë shqiptarë, si p.sh. Dr. Bedri Ramadani në Duisburg apo Dr. Ramadan Jashari në Bruksel, ku ai është drejtor i Bankës Evropiane për Homografte (organeve për transplantim).

 

Tearca.ch: A keni ndërmend ndonjë formë bashkëpunimi me klinikat e kardiokirurgjisë në vendlindje, qofshin ato shqiptare ose jo?

Dr. Omer Xhemali: Unë kam bashkëpunim shumë të mirë me Dr. Zhan Mitrevin nga Shkupi, me të cilin një kohë kam punuar bashkë në Frankfurt. Por për momentin ende nuk janë pjekur kushtet për kthim në Maqedoni. Aktualisht jam duke u angazhuar që të hapet një klinikë për kardiokirurgji dhe kardiologji në Tiranë. Nëse planifikimet arrijnë të realizohen, besoj se në fund të verës së sivjetme do të mund të fillojmë me operimet në zemër.

 

Tearca.ch: Në një takim privat, Ju patët deklaruar se së shpejti do të fillonit trajnimin e një kirurgu shqiptar në Tiranë, ku pritej të hapej një klinikë moderne për kardiokirurgji. E paskeni pasur fjalën për klinikën e lartpërmendur. Si qëndrojnë punët në këtë drejtim?

Dr. Omer Xhemali: Po, këtë edhe e kam realizuar. Në muajin prill ishin në klinikën time dy kolegë nga Tirana, të cilët qëndruan plotë katër javë. Ky ishte turni i parë, në vijim ata dhe kuadri i motrave do të na vizitojnë disa herë, që të mësojnë rrjedhat e punës në kardiokirurgji.

 

Tearca.ch: Përpos anës Suaj profesionale e akademike, Ju njiheni edhe si një humanist i madh. Bashkëfshatarët tanë janë mirënjohës dhe e çmojnë lart angazhimin Tuaj personal për sjelljen e disa pacientëve të fshatit tonë – disa tanimë të ndjerë - për shërim në Gjermani. Përveç këtyre, a do të na kishit përmendur edhe raste të tjera të kësaj natyre të ndërmarra nga ana Juaj dhe a do të vazhdojë ky humanizmi Juaj edhe këtu në Zvicër?

Dr. Omer Xhemali: Besoj se çdo mjek e kryen profesionin e tij nga shkaqet humane, pra të ndihmojmë njerëzit e sëmurë i takon natyrës së profesionit që ne kemi. Unë nuk jam i mendimit se kam bërë çudira, unë vetëm e kam aplikuar profesionin tim, të cilin e respektoj pa masë dhe nuk e shoh të arsyeshme që të përmendi raste të këtilla, pasi që ato i takojnë punës sime... Në anën tjetër, shpresoj që raste të këtilla të ketë sa më pak, por nëse përsëri do të kishte nevojë që unë të ndihmoj, do të jem gjithmonë i gatshëm të ofroj shërbimet e mia profesionale dhe njerëzore.

 

Tearca.ch: E kësaj natyre meriton të përmendet edhe modestia Juaj me njerëz. Edhe përskaj ngritjes Suaj shkencore e profesionale, Ju uleni dhe bisedoni edhe me njerëz të niveleve më të ulëta arsimore, gjë të cilën, sipas asaj që kam dëgjuar prej të njëjtëve, nuk e bëjnë disa mjekë të tjerë. Në çka e lidhni Ju këtë modesti?

Dr. Omer Xhemali: Sipas mendimit tim, shkolla nuk të bën njeri, ajo është vetëm një vegël për të gjetur rrugën e profesionit. Unë jam i mendimit se të gjithë njerëzit janë të njëjtë, secili e ka peshën e vet në atë që bën. Gjithashtu mendoj se kjo “modesti” ka të bëjë shumë me edukimin familjar.

 

Tearca.ch: Tani, nëse Ju premton koha, t’u drejtohemi pak bashkëfshatarëve tanë që jetojnë në mërgim, e në veçanti këtu në Zvicër. Sipas të dhënave që disponojmë ne, së paku në bazë të regjistrimit që ka mundur ta bëjë Shoqata jonë, në Zvicër jetojnë mbi 140 familje nga fshati Tearcë. Në vitet e krizës ushtarake në vendlindje, ashtu si edhe fshatrat tjera, edhe banorët e fshatit tonë që jetojnë këtu, e themelojnë Shoqatën Humanitare “Tearca” në Zvicër, për ta zbutur gjendjen e rëndë ekonomike në vend. Pas mbarimit të kësaj krize, sikur pushon aktiviteti i kësaj Shoqate, që më në fund, vjeshtën e kaluar të ringjallet sërish. Angazhohet kryesisht në ndihma humanitare për familjet e varfra të fshatit tonë, çka e ka dëshmuar edhe praktikisht kohëve të fundit. Brenda kësaj kohe të shkurtër disamujore në Zvicër, a keni pasur mundësi ta njihni këtë Shoqatë, të njoftoheni me veprimtarinë si dhe me drejtuesit e saj?

Dr. Omer Xhemali: Për mua është krenari të shoh se bashkëfshatarët e mi kanë një organizim të mirëfilltë në diasporë. Po ashtu më gëzon fakti që në organizatën tuaj janë të përfshirë aq shumë anëtarë. Nëpërmjet faqes suaj të internetit kam pasur mundësi që të marr shumë informata në lidhje me angazhimet dhe strukturat e kësaj organizate. Unë mund t’ju preferoj që të vazhdoni në këtë rrugë, sepse sukseset nuk do të mungojnë.

 

Tearca.ch: Shoqata jonë, me rikonstruktimin e saj, ndër të tjera hapi edhe web faqen, për të cilën jemi duke e zhvilluar këtë intervistë. Në të janë hapur disa rubrika rreth veprimtarisë së saj, rreth fesë islame e për argëtim. Në një prej takimeve të saj, kryesia e Shoqatës ka vendosur të hapë edhe rubrika të tjera si: shëndetësi, kulturë etj. Tani, edhe pse jeni tepër i angazhuar me punën Tuaj në spital, a do të kishit pasur mundësinë të ndani kohë për ndonjë artikull shëndetësor për në web faqen tonë si dhe për këshilla e udhëzime të tjera nga fusha e profesionit Tuaj?

Dr. Omer Xhemali: Kjo do të ishte nder për mua. Me gjithë dëshirë do t’ju përmbaj në këtë drejtim.

 

Tearca.ch: Së fundi, cilat do të ishin porositë Tuaja drejtuar bashkëfshatarëve tanë në Zvicër, e në veçanti të rinjve e të rejave tona këtu?

Dr. Omer Xhemali: Të jesh nga Tearca për mua është krenari. Ky është edhe shkaku pse unë të gjitha pushimet vjetore i kaloj në fshatin tim. Atje e ndiej veten si Omer dhe jo si doktor. Atje mund të relaksohem dhe të mbledh energji për tërë vitin. Që kjo ndjenjë të ngelë përgjithmonë, ne duhet të angazhohemi për zhvillimin e mëtutjeshëm të fshatit tonë. Besoj se prezenca jonë në kohën e pushimeve e bën fshatin tonë të lulëzojë. Sjellja jonë gjatë kësaj kohe është shumë e rëndësishme, pasi që ne jemi në sytë e bashkëfshatarëve tanë që jetojnë përgjithmonë atje. Do të kisha pasur dëshirë, që rinia jonë, kur të jenë në fshatin tonë të mos kenë sjellje si në Zvicër apo diku tjetër, por të mundohen t’i adaptohen jetës së atjeshme, të njoftohen e të komunikojnë me njëri-tjetrin, gjë që do të ishte për të gjithë më së miri.

Ne jemi këtu në Zvicër të huaj dhe do të ngelim gjithmonë si të huaj, por ky fakt nuk do të thotë se ne nuk mund të gjejmë vendin tonë në këtë shoqëri. Nëse gjeneratat e reja, që ndoshta me shumicë janë të lindur në Zvicër, do të ndjekin rrugën e drejtë, do të ndjekin shkollimin e lartë, atëherë pesha jonë në Zvicër në të ardhmen do të jetë shumë më e madhe në të gjitha strukturat e shoqërisë. Një fenomen të këtillë mund ta vërejmë te gjeneratat e të rinjve turq që jetojnë në Gjermani. Tanimë atje ekziston ministresha e parë turke (në Land Niedersachsen), e të mos bisedojmë për strukturat tjera. Pra, pres që në të ardhmen edhe në Zvicër shqiptarët të kenë një vend të posaçëm në sferat e ndryshme të shoqërisë zvicerane.

 

Tearca.ch: Për fund, s’na ngelet gjë pos që t’Ju falënderojmë edhe një herë përzemërsisht për kohën që ndatë si dhe për këshillat e për kontributin tuaj dhënë Shoqatës sonë. Ju urojmë shumë sukses në Zvicër si dhe të gjitha të mirat në jetë!

Dr. Omer Xhemali: Edhe unë shfrytëzoj rastin që t’i falënderohem Shoqatës suaj për nderin që më bëtë, të jem pjesë e aktiviteteve tuaja. Zoti ju bekoftë!

 

 

Cyrih, 22.05.2010

 

Intervistoi: Mr. Rejhan Neziri